Secili prej nesh ka gjetur mënyra nga më të ndryshmet për të përballuar izolimin në shtëpi në kushtet e pandemisë së COVID-19.
Disa prej aspekteve që na bashkojnë si shoqëri janë ëndrrat e frikshme dhe miqësia e ngushtë me kuzhinën.
Problemi qëndron se me hir e me pahir, njerëzit kërkojnë ushqime të pasura me sheqer, kripë dhe yndyrna jo të shëndetshme të cilat janë përgjegjëse jo vetëm për mbipeshën por edhe humorin e keq.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për ushqimet më të mira që do të përmirësojnë humorin tuaj dhe do të shuajnë nepsin e karantinës.
Vezët
Ato ju mbajnë të ngopur gjatë dhe ofrojnë kolinën e cila njihet për aftësinë natyrale për të përmirësuar humorin.
Vezët janë të pasura edhe me amino acide, magnez, zink dhe acide yndyrore omega-3 që luftojnë ankthin.
Kosi
Mund të tingëllojë e çuditshme por stomaku është vendi ku burojnë të gjitha emocionet.
Në stomak ndodhen transmetuesit nervorë që janë përgjegjës për humorin.
Kosi është i nevojshëm sepse përmban probiotikë që e mbajnë stomakun të kënaqur dhe të ngopur.
Kosin mund ta hani në mëngjes, drekë apo edhe në darkë.
Frutat e pyllit
Frutat e pyllit janë të një rëndësie thelbësore kundër humorit të keq, sepse përmbajnë shumë antioksidantë.
Frutat e pyllit mund t’i përzieni me kos në një mikser, të shtoni pak mjaltë dhe t’i dorëzoheni kënaqësisë së plotë që ju fal një kombinim i tillë magjik.
Bananja
Bananja kushton pak së pari, dhe së dyti ofron shumë vlera për shëndetin në përgjithësi dhe për përmirësimin e humorit në veçanti.
Ato janë të pasura me fibër që është e dobishme për shëndetin e stomakut por edhe vitaminën B6 e cila ndihmon në sekretimin e hormoneve të lumturisë, siç është serotonina dhe dopamina.
Tërshëra
Drithërat e plota kanë tendencën të ruajnë qëndrueshmërinë e niveleve të sheqerit në gjak, sepse ngadalësojnë tretjen e karbohidrateve.
Kjo do të thotë se humori juaj nuk do të pësojë luhatje pas ushqyerjes.
Tërshëra është e pasur edhe me hekur, një mineral i dobishëm kundër çrregullimeve të humorit.
Arrat
Arrorët janë jo vetëm të shijshëm por edhe përmirësojnë humorin.
Njerëzit që konsumojnë arrorë rregullisht, por pa e tepruar janë 23 përqind më pak të rrezikuar nga depresioni.
Kjo i atribuohet amino acidit triptofan që prodhon serotoninës. Bajamet, arrat dhe farat e pishës janë ndër arrorët më të mirë për t’i rezistuar plogështisë emocionale gjatë karantinës.