Krahas punës që e kryejnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet të mendojnë edhe për ushqimin.
Nga rreth 500 euro sa marrin në muaj, policët një pjesë duhet ta ndajnë për shujtën ditore.
Pavarësisht se ekziston një udhëzim administrative që shujtat ditore të policëve duhet t’i mbulojë shteti, megjithatë shumica prej rreth 9 mijë policëve ushqimin duhet ta paguajnë vet.
Ky problem është adresuar edhe nga kryesindikalisti Imer Zeqiri, por që nuk ka marrë ndonjë premtim konkret për ndonjë kompensim.
“Ne vazhdimisht kemi insistuar që kjo e drejtë të realizohet e që nuk është realizuar deri më tani. Por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje pse kjo e drejtë e zyrtarëve policorë nuk është realizuar”, deklaroi Zeqiri për RTV Dukagjinin.
Për shujtat e policëve deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje premtojnë se do ta ngritin zërin në Komisionin për Çështje të Sigurisë e Mbrojtjes, përcjell Telegrafi.
“Do ta trajtojmë në komision këtë çështje pasi është ngritur si shqetësim nga ana e zyrtarëve policorë me të drejtë. Unë them se gabimet janë bërë në fillim që ky problem nuk është paraparë në ndarjet buxhetore”, deklaroi deputeti Enver Dugolli.
Mirëpo nga opozita nuk presin rezultate as nga Qeveria Kurti.
“Policia e Kosovës ka probleme me ushqime, automjete lëvizëse, uniforma, mëditje. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që të plotësohen këto kushte por deri më tani nuk janë bërë”, deklaroi deputeti Bekë Berisha.