Ukrainasit kanë raportuar se ushtarë të armatosur po shkojnë derë më derë në pjesët e pushtuara të vendit për të mbledhur vota për referendumet e vet-organizuara për t’u bashkuar me Rusinë.
Kurse, në jug të qytetit Kherson, ushtarët rusë kanë qëndruar me kuti votimi në mes të qytetit për të mbledhur votat e njerëzve.
“Votimi derë më derë po bëhet për shkak të sigurisë”, raporton media shtetërore ruse.
“Votimi ‘formal’ do të mbahet më 27 shtator, kurse në ditët tjera do të organizohet nëpër komunitete dhe derë më derë”, raporton agjencia ruse e lajmeve Tass.
Një grua në qytetin Melitopol tha për BBC se dy ‘bashkëpunëtorë’ lokalë erdhën me dy ushtarë rusë në banesën e prindërve të saj për t’iu dhënë fletëvotimin.
Meqenëse këto prova mbeten anekdotike, prezenca e personave të armatosur duke mbledhur votat bie në kundërshtim me këmbënguljen e Moskës që ky process është i lirë dhe i drejtë.
Ekspertët thonë se referendum të tilla që mbahen gjatë pesë ditëve, do të lejojnë Rusinë t’i shpallin ilegalisht si të vetat katër regjionet e pushtuara pjesërisht në Ukrainë.
“Aneksimi” nuk do të njihet ndërkombëtarisht, por mund të çojë Rusinë drejt pohimeve se territori i saj është në rrezik nga furnizimi I Perëndimit me armë ne Ukrainë, të cilat mund të eskalojnë luftën më tutje.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, përshkroi këto referendum si ‘mashtrim’ për ‘pretekst të rrejshëm’ që të aneksojë pjesë të Ukrainës përmes forcës në shkelje me ligjet ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë territorin ukrainas si pjesë tjetër pos të Ukrainës”, tha Biden.
Edhe Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly tha se Mbretëria e Bashkuar ka prova që zyrtarët rusë kanë caktuar vendvotimet dhe qëllimet nga referendumet.
Cleverly tha se Rusia ka planifikuar ta formalizojë aneksimin e katër regjioneve, si Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia deri në fund të muajit.