Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit tragjik në fshatin Leshan të Pejës, ku humbi jetën të martën një pjesëtar italian i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas raportit 24-orësh të PK-së, në aksident janë lënduar një burrë dhe një grua shtetas të huaj dhe një burrë tjetër kosovar. Siç vijon njoftimi, në aksident u përfshinë dy vetura.”
“Në rrugën Pejë-Prishtinë ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona një mashkull dhe një femër shtetas të huaj, si dhe një mashkull kosovar”, ka njoftuar policia.
Tutje, PK-ja bën të ditur se të lënduarit nga aksidenti janë dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është konfirmuar vdekja e ushtarit italian.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore. I dyshuari për shkaktim të aksidentit ka pranuar ndihme mjekësore, dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 48 orë nga prokurori kujdestar”, përfundon njoftimi.
Për humbjen e jetës së pjesëtarit të misionit paqeruajtës së Aleancës e ka konfirmuar vetë KFOR-i mbrëmë.