Një ushtar nigerian qëlloi dhe plagosi një bashkë-pilot helikopteri të Kombeve të Bashkuara dhe më pas vrau një punonjës humanitar dhe një koleg ushtar në një bazë ushtarake në Nigerinë verilindore, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Kjo u njoftua në një postim në Twitter nga ushtria nigeriane të enjten në mbrëmje.
Bashkë-piloti i plagosur është në detyrë nga Shërbimi Ajror Humanitar i Kombeve të Bashkuara (UNHAS) në verilindje, ku ushtria po lufton me grupe të armatosura si Boko Haram dhe degët e tij duke përfshirë Provincën e Afrikës Perëndimore të Shtetit Islamik (ISWAP).
Samson Nantip Zhakom, zëdhënësi i ushtrisë për operacione kundër kryengritjes, tha se ushtari i paidentifikuar vazhdoi të qëllonte dhe vrau një punëtor të një prej organizatave që ofronte mbështetje humanitare në rajon, përpara se të sulmonte një ushtar tjetër.
“Trupat tona në terren neutralizuan menjëherë ushtarin”, tha Zhakom, duke shtuar se bashkë-piloti i plagosur ishte në gjendje stabile në spital.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi sulmin, por Zhakom tha se hetimet ishin duke u zhvilluar.
UNHAS ofron transport për punëtorët humanitarë që udhëtojnë drejt dhe nga qyteti Maiduguri, kryeqyteti i shtetit Borno, i cili është epiqendra e konfliktit.
Një dëshmitar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ushtari iu afrua një helikopteri të UNHAS brenda një baze ushtarake në Damboa dhe hapi zjarr ndaj bashkë-pilotit ndërsa ai u përpoq të ikte. Më pas ai u kthye dhe qëlloi në drejtim të disa punonjësve humanitarë që donin të hipnin në helikopter.
UNHAS tha se kishte anuluar të gjitha misionet e helikopterëve nga terreni deri në njoftimin e mëtejshëm. /FolDrejt/