Ndërsa pak ditë na ndajnë nga dita kur forcat ushtarake amerikane do të nisin një stërvitje në vendin Shqipëri, përgatitjet kanë nisur.
Në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vende të tjera aleate, të cilat do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti.
Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë, Gjeneral Major Joseph Jarrard e cilësoi Shqipërinë si partnere strategjike e sigurisë amerikane në Evropë. Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”.
Ndërkohë kjo stërvitje vjen në të njëjtën kohë kur , Shtetet e Bashkuara janë në një situatë konflikti për çështjen e kufirit midis Ukrainës dhe Rusisë.
Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrën për përplasjet në rritje në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase kanë luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në konfliktin që Ukraina thotë se ka shkaktuar vdekjen e më shumë 14,000 njerëzve që nga viti 2014. Ngërçi ka rritur tensionet midis Moskës dhe administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, e cila vendosi një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë këtë javë që e shtyu Moskën të hakmerrej me masa të ngjashme të premten.