Forcat izraelite vranë tre palestinezë gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor, duke përfshirë dy burra dhe një adoleshent, thanë burime spitalore palestineze, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Policia izraelite njoftoi se forcat e saj speciale qëlluan dy militantë në Jenin, si dhe një palestinez që i sulmoi me shkop dhe se ata shkëmbyen zjarr me disa sulmues.
Grupi militant lokal “Brigada Jenin” njoftoi se anëtarët e tij u përleshën me një njësi të armatosur izraelite të maskuar si palestinezë.
“Izraelitët kryen një sulm frikacak ndaj luftëtarëve të rezistencës,” tha grupi në një deklaratë.
Grupi palestinez “Hamas” njoftoi se njëri nga të vrarët ishte pjesëtar i forcave të tij.
Policia tha se njëri nga militantët e vrarë po planifikonte “aksione të rëndësishme terroriste”, dhe tjetri ishte i përfshirë në sulme ndaj forcave izraelite dhe në prodhimin e bombave.
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi sot se një djalë gjashtëmbëdhjetë vjeçar ishte në mesin e të vrarëve, se rreth 20 persona të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit dhe se katër ishin në gjendje kritike. /FolDrejt/