Sanaa al-Tal, 19 vjeç, u qëllua dhe u vra nga ushtria izraelite ndërsa ishte në një automjet pranë qytetit të Ramallah, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Ushtria izraelite ka qëlluar për vdekje një grua 19-vjeçare palestineze në qytetin Beitunia pranë Ramallah në Bregun Perëndimor.
Ministria palestineze e shëndetësisë tha se viktima, Sanaa al-Tal, u qëllua në kokë nga forcat izraelite në agimin e së hënës gjatë një bastisjeje në Beitunia.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, një tjetër palestinez, 26-vjeçari Anas Hassouneh, u plagos dhe u arrestua.
Al-Tal, e cila u qëllua ndërsa ishte në një makinë, vjen nga qyteti al-Thahiriyeh në jug të qytetit Hebron në Bregun Perëndimor.
Lajmet dhe imazhet e incidentit u qarkulluan nga mediat lokale në orën 4 të mëngjesit (01:00 GMT), dhe vrasja e saj u konfirmua disa orë më vonë.
Një dëshmitar i tha Wafa-s se al-Tal dhe Hassouneh ishin në një automjet që po lëvizte në një rrugë, të pavetëdijshëm që forcat izraelite ishin vendosur në disa pika derisa u befasuan nga prania e ushtrisë.
“Kur ata u përpoqën të ktheheshin, gjetën ushtarë të tjerë përballë tyre, të cilët filluan të qëllonin mbi ta pa asnjë njoftim,” tha dëshmitari, i cili jeton në zonë, duke shtuar se vetura u qëllua tre herë nga ushtarët e vendosur në kënde të ndryshme, ndërsa përpiqej të largohej.
Dëshmitari shtoi se ushtarët izraelitë e nxorrën Hassouneh, i cili po ngiste makinën, nga automjeti dhe se ai ishte i gjakosur, ndërsa al-Tal vdiq në vendngjarje.
Një deklaratë e ushtrisë izraelite tha se ushtarët vunë re një “makinë të dyshimtë që po përshpejtohej drejt tyre gjatë një operacioni nga forcat e sigurisë”, sipas mediave izraelite. Forcat kanë bërë sinjalizim që mjeti të ndalojë, por ai ka nxituar drejt tyre dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të mjetit, thuhet në njoftim.
Videoja e vëzhgimit e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale dukej se tregonte makinën duke u tërhequr ngadalë në zonë përpara se të qëllohej nga ushtarët e vendosur aty pranë. Al Jazeera nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pamjet. /FolDrejt/