Ushtria e Turqisë ka neutralizuar 17 pjesëtarë të organizatës terroriste PKK/YPG të cilët kanë tentuar të kryejnë sulm në zonën e operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, ministria tha se tentativa e infiltrimit në zonën ku forcat turke një vit më parë realizuan operacionin “Burimi i Paqes” u parandalua me sukses.
Ministria tha se 17 terroristët “të cilët tentuan të kryejnë sulm për të prishur mjedisin e qetësisë dhe sigurisë”, janë neutralizuar nga komandot turke.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer operacione të suksesshme kundër terroristëve përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).