Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka emëruar vajzën e John F Kennedy, Caroline Kennedy në pozitën e ambasadores së SHBA-së në Australi.
Kennedy, 63-vjeçare, është anëtare e një prej familjeve më të famshme politike të Amerikës, raporton the Guardian, përcjell FolDrejt.com.
Në një deklaratë, ajo e quajti Australinë “një vend që është po aq jetik për sigurinë dhe prosperitetin tonë të ardhshëm”.
“Mezi pres të bashkëpunoj me qeverinë e Australisë për të forcuar aleancën tonë, për të përmirësuar shëndetin global dhe për të rritur aksesin e vaksinave gjatë kësaj pandemie të tmerrshme dhe për të adresuar krizën urgjente të klimës. Jam e emocionuar të njoh popullin australian, të mësoj për vendin e tyre magjepsës dhe të ndaj me ta atë që më pëlqen më shumë për Amerikën.”
Kennedy ka qenë më pare ambasadore e SHBA-së në Japoni në administratën e Barack Obamës, nga viti 2013 deri në vitin 2017. Ajo ishte ambasadorja e parë femër e SHBA-së në Japoni.