Klubi brazilian i futbollit Santos nga Sao Paulo ka zbuluar planet për të tërhequr përgjithmonë fanellën me numrin 10 të veshur nga legjendar Pele…
Media të shumta braziliane raportuan se vajzat e Peles , pas vdekjes së tij, i dërguan një kërkesë klubit që askush të mos e veshë më fanellën me numrin 10 të Santos.
“Ne do t’ia propozojmë Bordit të Drejtorëve. Ka një procedurë për diçka të tillë, është e nevojshme që anëtarët e bordit të mblidhen dhe ta miratojnë” , tha presidenti i Santos, Andres Rueda.
“Ndërkohë ne do të anulojmë përkohësisht përdorimin e fanellës me numër 10 me një akt administrativ në janar, duke shpresuar që bordi ynë ta kthejë atë vendim në një zgjidhje të përhershme. Një iniciativë e tillë ka pasur edhe më parë, por shumë menduan se Pele mund të nderohej në një mënyrë më të mirë duke vazhduar të përdorej”dhjeta” e tij”, shtoi Rueda.
Aktualisht këtë numër e mban sulmuesi venezuelian Yeferson Soteldo, i cili i ka dhënë lamtumirën Peles me një postim në rrjetet sociale:
“Të veshësh fanellën tënde dhe të kujdesesh për të me dashuri dhe respekt është një mision që e respektoj. Na latë, por trashëgimia dhe kujtimet tuaja mbeten. Faleminderit për gjithçka, Pele.”
Pele luajti për Santos nga viti 1956 deri në vitin 1974 dhe klubi shpalli shtatë ditë zie pasi u njoftua të enjten se kampioni legjendar i botës tre herë me kombëtaren braziliane kishte vdekur në moshën 82-vjeçare./FolDrejt/