Detaje rrëqethëse janë rrëfyer nga goja e babit të 25-vjeçares Marjana Sahitaj, e cila u vra në oborrin e shtëpisë nga një makinë që drejtohej nga shoferi i droguar Sajmir Thaçi.
Ai tregon momentet e tmerrit kur pa se një makinë kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së tij dhe kishte përplasur rëndë vajzën e cila nuk mundi të mbijetonte edhe pse u dërgua në spital.
Babai i të ndjerës tregon se porta e kishte zënë sipër vajzën e re e cila sapo ishte martuar. Bashkë me djemtë e tij, ata e kanë transportuar në spital, por e reja ka ndërruar jetë.
“Ka dalë goca nga shtëpia, sa ka dalë kemi dëgjuar krisma, goditje të forta. Kam dalë me vrap, kam parë vetëm pluhur dhe tym. Makina ishte atje (në cepin e oborrit). Matanë makinës ishte porta e rënë. Gruaja doli të gjente Marjanën në rrugë. Poshtë portës ishte vajza e shtrirë. Me çunat kemi ngritur portën, tërhoqëm vajzën dhe e çuam në spital. Nuk pati fatin të shpëtonte”, mësohet të ketë thënë babai i vazjës.
Marjana ishte martuar këtë muaj dhe për pak ditë do të ikte në Angli, pranë bashkëshortit të saj.
“Në 11 shtator do të ikte. Dasmën e bëmë në 6 gusht. Çdo gjë shkoi mirë, në 11 do të shkonte te familja e re në Londër”, rrëfen babai i përlotur.
E reja po qëndronte ulur në oborrin e prindërve të saj kur 40-vjeçari Sajmir Thaçi humbi kontrollin e mjetit tip “Audi”, u përplas me portën e banesës dhe pasi ka hyrë në oborr ka goditur të renë.
/abcnews.al/