Që nga muaji mars i vitit të kaluar, Kosova është në vendet e shumta të botës që po përballet me situatën e krijuar si pasojë e infeksionit nga virusi Sars CoV-2.
Bllokimi që ndodhi në gjithë botën nuk la pa prekur edhe shtetin e Kosovës.
Por edhe pse gjatë muajve të fundit shumë prej shteteve të tjera, si të rajonit por edhe më larg arritën të vaksinojnë shumicën e qytetarëve të tyre me vaksinat e llojit të ndryshëm anti-COVID, në Kosovë ende s’është arritur që të vaksinohet asnjë qytetarë.
Lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e vaksinës anti-COVID, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ministria e Shëndetësisë është në pritje të konfirmimit nga COVAX të datës kur do të alokojnë kontigjentin e parë të vaksinave”, u tha në përgjigjen e MSH-së.
Gjithashtu u theksua se njëkohësisht angazhimi është edhe në burime të tjera të sigurimit të kësaj vaksine.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pati deklaruar se vaksinat anti-COVID do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk u realizua.
Deklarimet e Zemajt lidhur me vaksinën anti-COVID u panë si të pasakta dhe dëshpëruese nga ana e qytetarëve.
Zemaj tha se 33 mijë e 600 doza të vaksinës COVAX do të vijnë në Kosovë gjatë muajit mars.
Çështja e mungesës së vaksinës madje u diskutua dhe sot në kuadër të Parlamentit Evropian. Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, Viola von Cramon-Taubadel, ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të furnizojë Kosovën me vaksinat kundër COVID-19 sa më shpejt që është e mundur.
Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit në vend janë konfirmuar edhe 836 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 12.934.
Si pasojë e këtij virusi kanë humbur gjithsej 1.813, ndërsa në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk ka as edhe një shtrat të lirë për pacientët të cilët kërkojnë trajtim si pasojë e infektimit me këtë virus.