250 punonjës shëndetësorë nga Kosova, kanë mbërritur në Kukës për të marrë vaksinën anti Covid.
Ata do të marrin dozën kundër koronavirusit, të AstraZeneca-s, në Pallatin e Kulturës, “Hasan Prishtina”, në qytetin e Kukësit. Sot pritet që 250 mjekë dhe staf mjekësor të marrin dozën anti Covid, ndërkohë që në total do të jenë 500 punonjës nga Kosova që do të vaksinohen në Pallatin e Kulturës.
Një mjeke nga Prishtina e ka marrë dozën dhe tregon eksperiencë e saj, live në edicionin informativ në Top Channel. “Organizimi ishte shumë mirë. Jemi shumë mirënjohës për këtë vaksinën, duke marrë parasysh që jemi në vijën e parë të frontit. Jemi të emocionuar dhe të lumtur që shteti shqiptar na e dha këtë mundësi. Nuk pata asnjë shqetësim, kanë kaluar 20 minuta dhe e ndjej veten shumë mirë”, thotë ajo.
Vendimi, thuhet se është marrë pas takimit të zhvilluar në mes të delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100.800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.