Anësori i Villarrealit, Alex Baena (21-vjeçar) denoncoi në polici mesfushorin e Real Madridit, Federico Valverde (24-vjeçar) një javë më parë, i cili e goditi me grusht atë në parkingun pas ndeshjes mes këtyre skuadrave në xhiron e 28-të të kampionatit spanjoll.
Valverde dhe Baena u përplasën gjatë një ndeshjeje në La Liga në të cilën Villarreal mundi Realin 3:2. Më pas, ylli i Realit iu afrua të riut spanjoll në parking, pranë autobusit dhe e goditi me grusht në fytyrë. Baena shkroi në Twitter.
“Të shtunën e kaluar, një nga kolegët e mi profesionist më sulmoi pas ndeshjes kundër Realit. Pas asaj ngjarjeje, njerëzit e tij përhapën thashetheme se unë doja diçka të keqe për anëtarët e familjes së tij. Që nga ai moment, asnjë provë nuk është treguar për të mbështetur këto pretendime. Gënjeshtra më lëndon më shumë se goditjet. Familja ime merr kërcënime me vdekje. E kam denoncuar rastin në polici. Drejtësia do të vendosë”, thuhet në deklaratën e tij.
Marca njoftoi se Baena ishte provokuar
Gazeta spanjolle Marca publikoi një deklaratë të përfaqësuesve të Valverdes, të cilët thanë se dy futbollistët u përplasën fillimisht në janar në një ndeshje. Ata fajësuan Baenën për provokim. Valverde thuhet se kontaktoi Baenën për t’i kërkuar që të mos ngrinte akuza në polici, pasi në atë rast Valverde pothuajse me siguri do të pezullohej.
Baena e ka denoncuar dhe tashmë nga Spanja kanë mbërritur informacione se çfarë dënimi e pret Valverden. Vendimi për pezullimin do të presë edhe rreth një muaj dhe kur të merret ai do të arrijë në një pezullim minimal prej katër ndeshjesh. Dënimi maksimal i mundshëm është një pezullim për 12 ndeshje, transmeton Fol Drejt.