Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore mbi, siç tha, militantët në Gaza, duke rrafshuar një ndërtesë gjashtëkatëshe, ndërsa militantët hodhën dhjetëra raketa në Izrael të martën. Palestinezët në gjithë rajonin filluan një grevë të përgjithshme pasi që lufta, tani në javën e saj të dytë, nuk po tregon shenja të zbutjes.
Goditjet e së martës rrënuan një ndërtesë ku ishte vendosur biblioteka dhe qendra arsimore që i përkisnin Universitetit Islamik, duke lënë pas një grumbull masiv të armaturave dhe pllakave të betonit. Tavolina, karrige, libra dhe copëza kompjuterësh mund të shiheshin në mbeturina. Banorët po kërkonin sendet e tyre nëpër rrënoja.
Izraeli paralajmëroi banorët e ndërtesës, të cilët u larguan në errësirën para agimit. Nuk pati raportime për viktima.
Që nga fillimi i luftimeve më 10 maj, të paktën 200 palestinezë janë vrarë, përfshirë të paktën 59 fëmijë dhe 35 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gaza. Të paktën 10 izraelitë janë vrarë në sulmet me raketa, duke përfshirë një fëmijë 6-vjeçar.
Palestinezët në Izrael, Jerusalem dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, filluan një grevë të përgjithshme të martën për të protestuar kundër luftës në Gaza dhe politikave izraelite, që shumë aktivistë dhe disa grupe të të drejtave të njeriut thonë se përbëjnë një sistem gjithëpërfshirës të aparteidit, që u mohon palestinezëve të drejtat që gëzojnë hebrenjtë. Izraeli e kundërshton këtë vlerësim duke thënë se qytetarët e tij kanë të drejta të barabarta. Ai fajëson Hamasin, grupin militant islamik që kontrollon Gazën dhe e akuzon atë për nxitje të dhunës në të gjithë rajonin.