Përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Malmo të Suedisë kanë vazhduar edhe sot pas një proteste tjetër për djegien e Kuranit, transmeton Anadolu.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, në një konferencë për media tha se ngjarjet në Malmo ishin të tmerrshme.
“Këto janë pjesë e valëve të dhunës në Suedi dhe janë ngjarje të tmerrshme. Qeveria do t’i luftojë këto ngjarje deri në fund”, tha kryeministri Kristersson.
Trazirat shpërthyen kur Salwan Momika, një refugjat irakian që jeton në Stokholm, dje dogji një kopje të Kuranit në lagjen e emigrantëve ‘Rosengard’ të Malmos, ku përleshje të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
Policia pretendoi se ndaj tyre u hodhën gurë, ndërsa dhjetëra makina u dogjën, duke përfshirë edhe një garazh nëntokësor.
Këtë mëngjes, sipas mediave lokale, edhe të rinjtë musliman të cilët ishin të zemëruar me policinë suedeze që lejoi edhe një incidenti tjetër të djegies së Kuranit, u vunë flakën gomave dhe mbeturinave në lagjen ‘Rosengard’.
Policia tha se disa protestues hodhën skuterë elektrikë, biçikleta dhe barriera që sipas tyre nuk mund të tolerohen.
“E kuptoj që një tubim publik si ky ngjall emocione të forta, por ne nuk mund të tolerojmë shqetësime dhe shprehje të dhunshme si ato që pamë pasditen e të dielës”, tha oficerja e policisë, Petra Stenkula.
“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq të shohësh edhe një herë dhunë dhe vandalizëm në Rosengard”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se shumica e të pranishmëve nuk kanë marrë pjesë në trazira.
Rreth 15 persona u arrestuan të dielën teksa po përpiqeshin të parandalonin Momika-n që t’i vë flakën përsëri një kopjeje të librit të shenjtë musliman nën mbrojtjen e plotë të policisë.
Një numër individësh janë dënuar me disa vjet burgim kur shprehën zemërimin e tyre në rrugët suedeze pasi gjatë Pashkëve të vitit të kaluar politikani suedezo-danez, Rasmus Paludan, lider i partisë së ekstremit të djathtë ‘Stram Kurs’, kishte djegur kopje të Kuranit në qytetet suedeze Malmo, NOrrkoping, Jonkoping dhe Stokholm.
Djegiet e Kuranit në Suedi dhe Danimarkë nën pretekstin e fjalës së lirë kanë shkaktuar protesta të zemëruara në vendet muslimanet, përfshirë sulme ndaj misioneve diplomatike.
Muajin e kaluar, Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) u bëri thirrje vendeve anëtare të marrin masat e duhura politike dhe ekonomike kundër Suedisë dhe vendeve të tjera ku lejohet djegia e librit të shenjtë musliman.
Muajin e kaluar, Danimarka njoftoi planet për ta bërë djegien e teksteve fetare një vepër penale, ndërsa Suedia ende po shqyrton opsionet e saj ligjore që do t’i mundësonin policisë të refuzojë lejet për demonstrata që shqetësojnë sigurinë kombëtare.