“Kësti i ri i mbështetjes çon kontributin total të bllokut në mbi 2 miliardë euro”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borell,
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell njoftoi sot se blloku do të ndajë 500 milionë euro shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur gjatë rrugës për në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të G7 në Weissenhaus të Gjermanisë, Borrell bëri të ditur se Bashkimi Evropian ofron “një këst të ri prej 500 milionë euro mbështetje ushtarake për Ukrainën”.
Me këstin e ri, kontributi i bllokut shkon në 2 miliardë dollarë (2.08 miliardë dollarë) në total.
Ai shpjegoi se ministrat e Jashtëm të BE-së supozohet të miratojnë ndihmën ushtarake në ritakimin e tyre në Bruksel.
Borrell shtoi se do të sjellë “nxitje të re politike për një marrëveshje” për vendosjen e një embargoje të naftës ndaj Rusisë në mes të negociatave të bllokuara mbi propozimin e Komisionit Evropian për pakon e 6-të të sanksioneve.
Ai pohoi se blloku do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, me sanksione ekonomike që e izolojnë vendin ndërkombëtarisht.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt, ka lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur si dhe ka detyruar 6 milionë njerëz të ikin jashtë vendit.
Moska veprimet e saj i ka quajtur “operacion special ushtarak” për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën. Për vendet perëndimore, megjithatë, është një luftë agresioni dhe ata kanë vendosur sanksione të rënda si kundërpërgjigje, përfshirë ndalimin e mediave shtetërore ruse, ngrirjen e aseteve si dhe përjashtimin e bankave nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.
Përveç kësaj, BE-ja i ka ofruar Ukrainës ndihmë humanitare, ndihmë makro-financiare si dhe mbështetje buxhetore./FolDrejt/