Kancelari gjerman Olaf Scholz vendosi të hënën të mbajë në funksion tre termocentralet e mbetura bërthamore të vendit deri në mes të prillit të vitit të ardhshëm për të shmangur krizën e mundshme energjetike.
“Do të krijohet një bazë ligjore e cila do të mundësojë funksionimin e termocentraleve bërthamore Isar II, Neckarwestheim II dhe Emsland përtej 31 dhjetorit 2022 më së voni deri më 15 prill 2023”, thuhej në një letër dërguar ministrit të Ekonomisë Robert Habeck, ministres së Mjedisit Steffi Lemke, nga të Gjelbrit dhe ministrit të Financave Christian Lindner nga Partia Demokratike e Lirë (FDP), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Për ditë të tëra është zhvilluar debat mes partive bashkëqeverisëse FDP dhe të Gjelbërit në veçanti, nëse dhe për sa kohë duhet të vazhdojnë të funksionojnë tre termocentralet bërthamore që ishin ende aktive.
Gjatë kongresit të partisë të mbajtur në fundjavë, të Gjelbrit vendosën të mbështesin vazhdimin e funksionimit të Isar II dhe Neckarwestheim II deri në mes të prillit 2023 nëse është e nevojshme.
Zyrtarët gjermanë muajin e kaluar thanë se do t’u përmbahen planeve të tyre për mbylljen e centraleve bërthamore deri në fund të këtij viti, por do të mbajnë të hapur mundësinë e riaktivizimit të tyre në rast të mungesës së energjisë.
Gjermania mbylli tre reaktorë bërthamorë në vitin 2021 ndërkaq mbyllja e tre reaktorëve të mbetur do të shënonte zyrtarisht fundin e prodhimit bërthamor të energjisë vendase, e cila fillimisht nisi në kohën e ish-kancelares Angela Merkel./FolDrejt/