Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar në Radiotelevizionin Vojvodina se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me grupin e armatosur që zhvilloi një konflikt të armatosur me policinë e Kosovës në fshatin Banjska në veri të Kosovës të dielën dhe se ai nuk e di se kush e organizoi atë grup.
Daçiq tha se konflikti në Banjska “nuk është në interesin e Beogradit”, dhe se zgjidhja e situatës është deeskalimi, prania më e madhe e KFOR-it në veri të Kosovës dhe zgjedhjet e reja atje.
Sipas tij, policia e Kosovës nuk ka “të drejtë” të jetë në veri të Kosovës, sepse serbët atje dhe Serbia nuk e njohin Kosovën si shtet.
I pyetur nëse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka udhëhequr një grup të armatosur në Banjska, Daçiq tha se nuk mund ta konfirmojë.
Ai po ashtu tha se nuk e di nëse Radoiçiq po trajtohet në Beograd dhe nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes së gazetares Ljubica Gojgiq për videon në të cilën pretendohet se shfaqet Radoiçiq dhe pyetjes nëse ai incizim është lidhje e drejtpërdrejtë e grupit të armatosur me Beogradin, duke pasur parasysh se nënkryetari i Listës Serbe u shfaq në shoqërinë e përfaqësuesve të qeverisë serbe, transmeton N1, përcjell Fol Drejt.