Zjarrfikësit dhe ushtria po përpiqen të shuajnë zjarrin që po përhapet në bazën ushtarake Novo Selo në Bullgarinë lindore për të tretën ditë radhazi.
Zjarri shpërtheu gjatë një stërvitje ushtarake më 5 nëntor në poligonin stërvitor të bazës ushtarake, ku janë vendosur gjithashtu ushtarë amerikanë në kuadër të NATO-s, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Mbrojtjes e Bullgarisë njoftoi se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh dhe se për shuarjen e tij janë përfshirë edhe helikopterët ushtarakë.
“Zjarrfikësit dhe personeli ushtarak po luftojnë në kushte të vështira dhe ende nuk e kanë vënë zjarrin nën kontroll”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se zjarri po lëviz edhe në drejtim të depove të municionit dhe se mundësia e shpërthimeve rrit rrezikun gjatë shuarjes.
Baza ushtarake në Novo Selo është themeluar në vitin 1962 në një sipërfaqe prej 144 kilometrash katrorë. Rreth 2.500 ushtarë, kryesisht nga SHBA-ja, kryen stërvitje me rotacion./FolDrejt/