Miroslav Lajçak ka thënë se janë duke bërë përpjekje për t’iu kthyer rrugëve të normalitetit në kuadër të dialogut Kosovë, Serbi, shkruan Fol Drejt.
“Vazhdon përpjekja jonë për të kthyer në rrugën e normalizimit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar emisari special i BE-së për dialogun.
Tutje, ai ka dhënë detaje rreth takimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi.
“Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”.
“Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”, është shprehur ai./FolDrejt/