Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se Vaksinimi kundër COVID-19 është duke vijuar në nivel vendi sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19, ndërsa janë duke u vaksinuar qytetarët e moshës mbi 65 vjeçare.
MSH përmes një komunikate për media tha se vaksinimi në sallën “1 tetori” në Prishtinë është duke u bërë sipas termineve të caktuara për personat e kësaj grup-moshe që kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova, ndërsa në komuna, sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.
“Vaksinimi sipas kësaj mënyre do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa në qendrat e vaksinimit duhet të shkojnë vetëm qytetarët e kontaktuar nga Ministria dhe QKMF-të”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Në ditët në vijim, Ministria e Shëndetësisë do të njoftojë qytetarët edhe për mundësitë të tjera shtesë të regjistrimit për marrje të vaksinës kundër COVID-19.