Policia e Kosovës njoftoi se të hënën mbrëma ka vdekur një 21-vjeçare, paciente në Qendrën për trajtim të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime, pasi dyshohet se është ngufatur gjatë ngrënies së ushqimit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se rasti ka ndodhur në “Shtëpia e fëmijëve”, rreth orës 19:30.
“Më datën 15.05.2023 rreth orës 19:30 , policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se një person D.S ( F/K) e moshës 21 vjeçare nga ‘Shtëpia e fëmijëve’ në Shtime, për ndihmë mjekësore fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime dhe më pas me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku nga mjekët është konfirmuar vdekja e saj, dyshohet ngulfatje nga ushqimi”, tha ai.
Tutje, Veseli shtoi se, hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë nisur hetimet.
“Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, theksoi ai.
Veseli bëri të ditur se rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekjen”./BetimipërDrejtësi/