Ka vdekur në rrethana akoma të paqarta themeluesi i Helmetave të Bardha në Siri, James Le Mesurier. Ai është rrëzuar nga ballkoni në Stamboll, por ka mjaft dyshime për ndonjë vrasje nga shërbimet sekrete.
A mund të quhet vdekja e tij një aksident?, pyeti retorikisht media gjermane bild.de.
Interesant është se vetëm tre ditë më parë, ministria e jashtme ruse e shpalli de fakto Le Mesurier si terrorist.
“Bashkëthemeluesi i Helmetave të Bardha, James Le Mesurier, është një ish agjent i MI6, i cili ka shërbyer në shumë vende të botës, mes tjerash në Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Lidhjet e tij me grupet terroriste janë raportuar që nga misioni i tij në Kosovë,” shkruante ministria e jashtme ruse, por pa potencuar se “kush ishin terroristët në Kosovë?”.
Fakt është që Mesurier ka qenë në një mison paqe në Kosovë gjatë 1999.
Helmetat e Bardha në Siri janë një grup humanitar i përbërë prej 3000 vullnetarësh, të cilët ndihmojnë të plagosurit nga bombat ruse dhe siriane. Sipas disa parashikimeve, falë tyre janë shpëtuar 100 mijë persona. Kjo organizatë financohet nga shumë shtete, mes tjerash edhe nga Gjermania./Foldrejt.com