Gjenerali në pension Gary Prado Salmon, i cili kapi Ernesto “Che” Guevera në Bolivi në vitin 1967, vdiq në moshën 84-vjeçare.
Salmon, i cili u shpall “hero” nga Kongresi Bolivian në 1967 pas kapjes së Che Guevara-s, vdiq në një spital në Santa Cruz de la Sierra në lindje të vendit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Gary Prado Arauz, i cili konfirmoi lajmin për vdekjen e babait të tij në rrjetet sociale tha: “Zoti sapo e thirri babanë tim në mbretërinë e tij, ai na la një trashëgimi dashurie, ndershmërie dhe guximi. Ai ishte një person i jashtëzakonshëm”.
Salmon, i cili u paralizua në shtyllën kurrizore në vitin 1981 nga një plumb aksidental, doli në pension nga ushtria në vitin 1988.
Në Bolivi, ushtari bolivian Mario Teran Salazar, i cili vrau Che Guevera-n, vdiq më 11 mars 2022, në moshën 80-vjeçare.
Guerili komunist argjentinas Che Guevera u kap në Bolivi nga një operacion i përbashkët i ushtrisë boliviane dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) më 9 tetor 1967 dhe u ekzekutua në një shkollë në fshatin La Higuera, rreth 800 kilometra nga La Paz./FolDrejt/