Ish-senatori John W. Warner nga Virginia, i njohur si burrë xhentil dhe një ekspert ushtarak me eksperiencë, i cili fitoi famë të veçantë pas martesës me aktoren legjendare Elizabeth Taylor, u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare.
Warner vdiq të martën nga një ndalim zemre në banesën e tij në Aleksandria të shtetit Virginia, pranë gruas dhe vajzë së tij, tha të mërkurën shefja e stafit të tij Susan A. Magill.
Ish-senatori republikan me pikëpamje të qendrës kishte tendencën të vepronte shpesh si i pavarur, gjë që ndonjëherë zemëronte udhëheqësit më konservatorë të Partisë Republikane. Por ai ishte jashtëzakonisht popullor me votuesit e Virginias.
Ky popullaritet u amplifikua nga martesa e tij me yllin e Hollywoodit, Elizabeth Taylor. Kjo famë bëri që kandidatura e tij për Senat të tërhiqte pasues të shumtë që çuan në zgjedhjen e tij në Senat në 1978. Seriali komik që botohej në gazeta amerikane “Doonesbury” e vinte në lojë me epitetin atë “Senator Elizabeth Taylor.”
John W. Warner shërbeu pesë mandate në Senat para se të dilte në pension 30 vjet më pas. Ai u pasua në vitin 2008 nga demokrati Mark Warner, me të cilin nuk kishte lidhje fisnore. Demokrati Warner e kishte sfiduar për vendin në Senat në 1996. Pas vitesh rivaliteti, të dy u bënë miq të mirë.
Senatori Tim Kaine, demokrat nga Virginia tha “Sapo fillova në Senat, e kuptova edhe më thellë ndikimin e John Warner. U njoha me John McCain, Carl Levin dhe shumë të tjerë që shërbyen në Kongres me të dhe flisnin për integritetin e tij dhe ndikimin shumë të madh që ai kishte në këtë Dhomë që e donte aq shumë”.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e lavdëroi ish-senatorin Warner si “një patriot i madh … një udhëheqës që nuk kishte frikë të thoshte të vërtetën, por gjithmonë i përkushtuar për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe konsensusin”.
Flamujt në ndërtesat e Senatit amerikan u ulën në gjysëm shtizë. Udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit Chuck Schumer e vlerësoi zotin Warner si një “krijues konsensusi” dhe një “autoritet në çështjet ushtarake”. Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, nderoi ish-kolegun e tij në Senat, duke e cilësuar një “patriot parimor në të gjitha temat”.
Senatori i sjellshëm me tipare të mprehta dhe një shkul flokësh të zbardhur ishte aq popullor mes votuesve nga Virginia, saqë demokratët as që u munduan ta sfidonin atë duke prezantuar një kandidat të tyrin në 2002.
John W. Warner, veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Koresë, ia kushtoi pjesën më të madhe të karrierës së tij çështjeve ushtarake. Ai shërbeu si kryetar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit dhe si sekretar i Marinës.
Ai ishte ndër mbështetësit kryesorë të deklaratës së Presidentit George W. Bush për t’i shpallur luftë Irakut dhe shpesh i dilte në mbrojtje administratës Bush për trajtimin e luftës në Irak. Por ai gjithashtu nuk rezervohej në kritika ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Lindur në Uashington më 18 Shkurt 1927, zoti Warner u regjistrua vullnetarisht në radhët e Marinës kur ishte 17 vjeç dhe shërbeu si teknik i klasit të tretë të elektronikës. Ai fitoi një diplomë inxhinierie nga Universiteti “Washington and Lee” dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Virginias në 1949, por doli vullnetar një vit më pas për Marinsat, duke shërbyer në Kore përpara se të merrte diplomën në 1953.
John W. Warner punoi si ndihmës në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit, pastaj u punësua jurist në një firmë private dhe më pas u bë prokuror federal. Ai shërbeu si sekretar i Marinës nga 1972 në 1974.
Zoti Warner siguroi zotërime me vlerë rreth 7 milionë dollarë pas ndarjes nga gruaja e parë, Catherine Mellon, vajza e multimilionerit Paul Mellon. Ai u martua me agjenten e pasurive të patundshme Jeanne Vander Myde në 2003.
Warner kishte tre fëmijë, Mary, Virginia dhe John, dhe ishte anëtar i Kishës Episkopale.