Köbi Kuhn fitori reputacionin më të madh kur ai drejtonte përfaqësuesen nacionale të Zvicrës në periudhën 2001-2008
Ka vdekur sot Köbi Kuhn, ish trajneri shumëvjeçar i Ekipit Kombëtar të Zvicrës. Ai ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila ka vuajtur një kohë të gjatë, në moshën 76 vjeçare në spitalin në Zollikerberg, njofton srf.ch.
Me vdekjen e tij, futbolli zviceran ka humbur një personalitet të përmasave të mëdha.
Si i ri Kuhn ka luajtur për FCZ me të cilin kishte fituar 6 herë titullin e Kampionit të Zvicrës dhe 5 herë Kupën e vendit, transmeton albinfo.ch. Ai ka zhvilluar 63 ndeshje për përfaqësuesen nacionale të Zvicrës.
Köbi Kuhn fitori reputacionin më të madh kur ai drejtonte përfaqësuesen nacionale të Zvicrës në periudhën 2001-2008. Atëbotë për meritat e tij si kryetrajner ishte mbiquajtur “Köbi National” pasi që kishte arritur që ta çonte Zvicrën në tre kampionate radhazi (Evropiane dhe botërore).
Në vitin 2006 Köbi Kuhn ishte shpallur “Zviceran i Vitit”.
Në kohën kur Kuhn drejtonte “Natin”, nga futbollistët shqiptarë kanë luajtur në periudha të ndryshme Milaim Rama, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili.