Ka vdekur personi i cili ishte goditur nga një veturë në Hajvali.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmë.
Bëhet fjalë për 34-vjeçarin Arban Sopjani.
Lajmi u bë i ditur nga faqja Hajvalia dhe familjarët e të ndjerit.
Rasti u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se personi i dyshuar (ngasësi i automjetit), është ndaluar për 48 orë.
“Rreth orës 22:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Gjilan,saktësisht në fshatin Hajvali, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar një person (këmbësor), i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Trupi i viktimës A. S, mashkull, 34 vjeç, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa personi i dyshuar (ngasësit të automjetit) i me vendim të prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë” – tha Ahmeti.