Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një minutë heshtje në nderim të veteranit Agron Haradinaj, i cili ndërroi jetë sot, shkruan Fol Drejt.
Ishte deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Ganimete Musliu e cila e kërkoi që të nderohet figura e tij, ndërkohë që në seancë po vijon debati për marrëveshjen Kosovë – Serbi.
Agron Haradinaj përndryshe, ishte vëllai i Nasim Haradinajt. Ai ishte luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Atë e ka kujtuar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Ramush Haradinaj.
“Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj.
Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i eksplodimit të një rakete të hedhur nga aeroplanët e ushtrisë serbe në bombardimet në fshatin Prilep të Deçanit” – ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.