Katër të prekur nga kanceri kanë vdekur pasi Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë, i vetmi spital me njësinë onkologjike në Rripin e Gazës nën bllokadë, u detyrua dje të ndërpresë punën.
Drejtori i Spitalit të Miqësisë Turqi-Palestinë në Gaza, Subhi Sukeyk në një deklaratë për AA tha se “Sot kanë vdekur 4 të prekur nga kanceri si pasojë e daljes tërësisht jashtë shërbimit të spitalit për shkak të përfundimi i karburantit”. Ai tërhoqi vëmendjen se pacientët humbën jetën për shkak të mungesës së mundësive të nevojshme mjekësore.
Sukeyk theksoi se të gjithë të prekurit nga kanceri në Spitalin e Miqësisë Turqi-Palestinë janë transferuar në Spitalit Dar es-Salam në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Organizata “Mjekët Pa Kufij” (MSF) në një deklaratë më 1 nëntor njoftoi se Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë ka ndërprerë ofrimin e shërbimit për shkak të mungesës së karburantit dhe sulmeve ndaj objektit.
“Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë që nga sot ka ndërprerë ofrimin e shërbimit për shkak të mungesës së karburantit dhe sulmeve të shumta që prekin objektin. Ky është i vetmi spital publik në Rripin e Gazës ku të prekurit nga kanceri mund të marrin trajtim dhe tani jeta e dhjetëra pacientëve me kancer është në rrezik serioz”, thuhej në deklaratë.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Ndihmave Humanitare në një deklaratë tha se 70 të prekur me kancer janë përballë rrezikut të vdekjes pas daljes jashtë shërbimi të spitalit të vetëm në Rripin e Gazës ku pacientët mund të marrin trajtim.
Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë, i ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Rripin e Gazës nën bllokadë (2011-2017), përbëhet nga 8 blloqe të ndërlidhura me njëra-tjetrën me një sipërfaqe të mbyllur prej 33.400 metrash katrorë, 4 salla operacioni, njësi të kujdesit intensiv, laboratorë dhe 180 dhoma.