Sot, në një postim të tij në Facebook Mustafa ka ironizuar me sjelljen e Presidentes në Samitin Evropian, gjë që ka ngjallur reagime të njëpasnjëshme nga zyrtarë politikë të pozitës.
Një ndër ta është edhe Blerim Vela, shef i zyrës së presidentes Vjosa Osmani, i cili ka shpërndarë një postim të gjerë ku e quan Mustafën të pensionuar nga politika me vetë votën e qytetarëve, të cilëve, edhe u ka borxh një kërkim falje për dëmet që i ka shkaktuar Kosovës gjatë qeverisjes, transmeton Fol Drejt.
“Ai kurrë s’ka pasur guximin të luftojë krimin e korrupsionin. Përkundrazi, ishte kthyer në shërbëtor politik vetëm e vetëm që të mbes në pushtet – qoftë edhe një ditë më shumë”, shprehet ai.
“Andaj, sikur të kishte fytyrë shoku Isa Mustafa, siç po shprehet ai (e që nuk ka), do t’i kërkonte falje qytetarëve të Kosovës për dëmin e pariparueshëm që i ka bërë vendit, si vasal i papërmirësueshëm dhe shërbëtor i dëgjueshëm i kapjes së shtetit dhe korrupsionit në vend”, deklaroi më tej.
“Do të duhet shumë mund e kohë për t’i riparuar dëmet e shokut Isë e shpurës se tij politike. Por, kthim prapa s’ka, përkundër zhurmës në prapavijë të ca pensionisteve politik. Të hapur ndaj debatit e kritikes, por s’mund te qëndrojmë indiferent ndaj baltosjes se punës tonë”, shkroi Vela. /FolDrejt/