Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim të thirrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Në një deklaratë të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Brendshëm, Agim Veliu, që u shkarkua nga kjo detyrë të mërkurën, tha se në momentin që do t’i kenë nënshkrimet, do t’i dërgojnë në Kryesi të Kuvendit.
“Tash, rendi i procedurave e do që të fillohet me mbledhjen e nënshkrimeve dhe, në momentin kur të bëhen nënshkrimet, do të paraqiten në Kryesi të Kuvendit për kërkesë të seancës për votimin e mocionit”, tha Veliu.
Të mërkurën, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa njoftoi iniciativën për dalje nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të shkarkimit të ministrit Veliu, si dhe për shkak të mospajtimeve rreth tarifës që Kosova ka ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.
Kryeministri Albin Kurti tha se vendimi i LDK-së për dalje nga qeveria është diçka e pritshme, duke shtuar se tarifa për mallrat serbe nuk duhet të largohet në mënyrë të njëanshme nga Kosova.
Kurti tha se qeveria e tij nuk është duke i prishur raportet me askënd, porse është duke punuar për interesat e qytetarëve të Kosovës.
LDK-ja pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm në orët e pasdites të së enjtes./rel