Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania.
“Ky lajm është i rëndësishëm për të gjithë neve dhe nuk kam asnjë dyshim që nga sot, afria e Kosovës dhe e Gjermanisë shënon një hap të ri në marrëdhëniet tona”, ka shkruar Veliu në një postim në Facebook.
“Dua me këtë rast të falënderoj Qeverinë e Gjermanisë, Kancelaren Merkel dhe Kancelarin Scholz për këtë angazhim dhe përmbyllje të kësaj marrëveshjeje. Një falënderim i veçantë shkon edhe për homologun tim Ministrin e Brendshëm Seehofer dhe atë të Transportit Scheuer, shtoi ish-ministri.
Tutje Veliu falënderoi Drejtorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Ministrisë së Transportit në Gjermani, Guido Zielke, me të cilin tha se ka bashkëpunuar ngushtë për t’i përmbushur sugjerimet për njohjen e patentë shoferëve.
“Falënderoj edhe Ambasadorin Beqë Cufaj dhe Drejtorin e ARC Bekim Hoxha. Kosova nga sot është edhe më afër Gjermanisë”, përfundoi Veliu.
Ambasadori i Kosovë në Gjermani, Beqë Cufaj, po ashtu uroi për njohjen e patentë shoferëve, dhe meritat më të mëdha për këtë sukses ia atribuoi Agim Veliut.