Vëllimi i tregtisë ndërkombëtare të armëve në 2018-2022 shënoi rënie me 5.1 për qind brenda periudhës së kaluar pesëvjeçare, sipas një raporti të publikuar sot.
Pesë eksportuesit më të mëdhenj të armëve SHBA-ja, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania, përbënin 76 për qind të eksporteve globale nga 2018 deri në 2022, thuhet në raportin e Instituti Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Me një pjesë prej 40 për qind të totalit global në këtë periudhë, eksportet e armëve të SHBA-së u rritën me 14 për qind nga 2013-2017.
Gjithsej 41 për qind e eksportit të armëve të SHBA-së shkuan në Lindjen e Mesme, që paraqet rënie nga 49 për qind që ishte në periudhën e mëparshme. Në ndërkohë, eksportet e armëve të Rusisë shënuan rënie me 31 për qind në 2018-2022 krahasuar me gjysmë dekadën e mëparshme.
India, me një përqindje prej 31 për qind, ishte blerësi më i madh i armëve ruse, e ndjekur nga Kina me 23 për qind dhe Egjipti me 9.3 për qind. Eksportet ruse në Indi ranë 37 për qind midis dy periudhave pesëvjeçare ndërsa ato u rritën me 39 për qind në Kinë dhe 44 për qind në Egjipt.
“Megjithatë, Rusia nuk bëri asnjë dërgesë në Egjipt në 2021-2022 dhe vëllimi i dërgesave në Kinë në 2020-2022 ishte në një nivel shumë më të ulët se në 2018-2019”, thuhet në raport.
Raporti parashikon rënie të mëtejshme të eksporteve të armëve ruse për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e dytë, pasi vendi me shumë gjasa ka prioritet prodhimin e armëve për ushtrinë e vet.
“Sanksionet e shumta, përfshirë kufizime të gjera tregtare, të vendosura ndaj Rusisë, së bashku me presionin nga SHBA-ja dhe aleatët e saj ndaj shteteve për të mos blerë armë ruse, do të pengojnë përpjekjet e saj për të eksportuar armë”, shtoi ai.
Eksportet franceze të armëve u rritën me 44 për qind gjatë kësaj periudhe ndërsa ato kineze shënuan rënie me 23 për qind dhe ato gjermane me 35 për qind.
– Importet e armëve
India vazhdoi të jetë importuesi kryesor i armëve në botë në 2018-2022, kryesisht për shkak të tensioneve me fqinjët e saj veriorë, Pakistanin dhe Kinën.
Importet globale të armëve të Indisë gjatë pesë viteve të fundit ranë në 11 për qind, nga 12 për qind në periudhën 2013-2017, e penguar nga procesi i ngadaltë dhe kompleks i prokurimit të armëve, së bashku me përpjekjet e saj për të diversifikuar furnizuesit dhe përpjekjet për të zëvendësuar importet me prodhim dhe dizajnin vendas.
Pavarësisht rënies së eksporteve ruse, ajo ruajti pozitën si furnizuesi më i madh i Indisë, megjithëse pjesa e saj në importet totale nga New Delhi ra nga 64 për qind në 45 për qind midis dy periudhave pesëvjeçare.
Pas Indisë, Arabia Saudite (9.6 për qind), Katari (6.4 për qind), Australia (4.7 për qind) dhe Kina (4.6 për qind) kishin peshën më të madhe në importet globale të armëve.
Vendet evropiane, ndërkohë, rritën blerjet e tyre të armëve të huaja me 47 për qind në periudhën 2018-2022, ndërsa vendet anëtare të NATO-s në kontinent u rritën me 65 për qind.
Importuesi më i madh evropian i armëve në këtë periudhë ishte Britania e Madhe, e cila ishte importuesi i 13-të më i madh në botë, e ndjekur nga Ukraina dhe Norvegjia.
SHBA-ja siguroi 56 për qind të importeve të armëve të Evropës ndërsa Rusia furnizoi 5.8 për qind, kryesisht në Bjellorusi. Gjermania, ndërkohë, shiti 5.1 për qind të importeve totale të armëve të vendeve të saj evropiane.
Ukraina ishte importuesi i tretë më i madh i armëve vitin e kaluar, pasi SHBA-ja dhe shumë vende evropiane dërguan sasi të mëdha ndihme ushtarake në vend në mes të luftës së saj me Rusinë.
Shumë nga armët e furnizuara në vitin 2022 ishin artikuj të dorës së dytë nga stoqet ekzistuese, përfshirë 228 copë artilerie dhe rreth 5.000 raketa artilerie nga SHBA-ja, 280 tanke nga Polonia dhe mbi 7.000 raketa antitank nga Britania, sipas SIPRI-t./FolDrejt/