Liderët ushtarakë nga Afrika Perëndimore thanë se janë gati për ndërhyrje të mundshme në Niger, ndërsa Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) finalizon planet për të rivendosur rendin kushtetues në vend, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Ne jemi gati të nisemi kurdo që të jepet urdhri”, tha Abdel-Fatau Musah, komisioneri i ECOWAS për çështjet politike, paqen dhe sigurinë, gjatë ceremonisë përmbyllëse të një takimi dyditor të shefave të ushtrive nga Afrika Perëndimore të mbajtur në kryeqytetin e Ganës, Akra.
Ai zbuloi se plani i dërgimit të trupave, duke përfshirë kohën e operacionit, ishte analizuar në mënyrë të përpiktë për të siguruar efektivitetin dhe për të minimizuar rreziqet.
Urdhri i ECOWAS-it për dërgimin e forcave synon të ushtrojë presion mbi administratën ushtarake për të rikthyer presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum dhe për të hequr dorë nga kontrolli i pushtetit në Niger.
Në rast të përpjekjeve paqësore të pasuksesshme, Musah përsëriti: “Nëse gjithçka dështon, atëherë ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të shkojmë në opsionin përfundimtar, që është ndërhyrja ushtarake. Shpresojmë që kjo do të jetë kirurgjikale dhe e shkurtër, për të siguruar rivendosjen e rendit kushtetues”.
Teksa fokusi mbetet te ndërhyrja, ECOWAS gjithashtu mban të hapur mundësinë e rinovimit të bisedimeve për një zgjidhje paqësore.