Kryeministri i Republikës së Kosovës, pas mbledhjes së fundit të qeverisë, mbajti një konferencë për media. Ai ishte i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkruan Fol Drejt.
Kjo është fjala e plotë e tij:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Ju falënderojmë për pritjen dhe durimin gjatë kësaj kohe, derisa bashkë më Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla dhe disa ministra të tjerë diskutonim një mori çështjesh, të cilat preokupojnë urgjentisht dhe me shumë rëndësi punën tonë të përditshme. Por sot, jemi këtu para jush për dy projektligje tejet të rëndësishme për administratën shtetërore, për secilin zyrtar publik të institucioneve tona, por edhe për qytetarët e këtij vendi, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik.
Këto dy projektligje, janë bazë e reformës në administratën publike, si një nga prioritetet kyçe të Qeverisë sonë përmes së cilëve synohet krijimi i sistemit të njëtrajtshëm të pagave dhe shpërblimeve për të punësuarit në sektorin publik, si dhe modernizimi i administratës publike, me synimin për ta shndërruar në një administratë ku ju si qytetarë dhe biznese, mund t’i qaseni lehtë dhe të merrni shërbime efikase.
Ashtu siç kemi sqaruar para deputetëve në Kuvend, për mediat dhe për qytetarët, hartimi i këtyre projektligjeve nuk ka qenë proces i lehtë dhe as punë që ka mundur të përfundohet shpejt. Për rreth 40% të pozitave, nuk dihej se ku janë klasifikuar, më shumë se 34.000 zyrtarë nuk e gjenin veten në ligjin e shfuqizuar të pagave, kishte përafërsisht 170 lloje të shtesave dhe të kompensimeve, mungesë pastaj të kritereve mbi të cilat janë marrë disa shtesa, shtesat për një muaj, që tejkalonin pagën vjetore të një qytetari dhe zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë.
Në anën tjetër, të dhënat nga Raportet e Progresit prej vitit 2008 deri në vitin 2020 theksojnë se: administrata publike ka qenë e ndikuar nga ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve; në raportet e viteve 2018 deri 2020 del se nuk janë respektuar parimet e rekrutimit transparent dhe të bazuara në merita; nga 2008 deri në vitin 2020 në vazhdimësi është theksuar nevoja për përmirësimin e shkathtësive në shërbimin civil dhe fuqizim të burimeve njerëzore; nga viti 2013 është pasqyruar vazhdimisht moszbatimi i vlerësimeve të performancës në mënyrë sistematike dhe mungesa e llogaridhënies menaxheriale, kurse që nga viti 2010 e deri në vitin 2020 në këto raporte të progresit të Bashkimit Evropian për ne, për çdo vit është gjetur se personat me aftësi të kufizuar, komunitetet joshumicë dhe gratë, nuk janë ende të përfaqësuara si duhet në institucionet publike, veçanërisht në pozita drejtuese.
Shifrat ilustrojnë këto gjetje më së miri, ngase në nivelin e lartë drejtues kemi 69 burra dhe vetëm 17 gra, në nivelin e mesëm drejtues kemi 377 burra dhe vetëm 79 gra. Në hulumtimin e bërë nga Meyer-Sahling dhe të tjerët, në vitin 2018, 39 për qind e shërbyesve civilë kanë deklaruar se janë të rekrutuar falë lidhjeve partiake dhe 44 për qind tjetër fare, janë deklaruar se janë pranuar në shërbim civil me lidhje familjare apo shoqërore, pra jo partiake. Partiake 39 për qind, familjare shoqërore 44 për qind. 83 për qind me lidhje.
Situata paradoksale kishim edhe për shtesa, ku dekanë, rektorë dhe pro-rektorë të universiteteve publike kishte raste ku për një muaj kanë marrë 1.700 deri në 1.800 euro shtesa, të cilët kanë tejkaluar edhe pagën bazë.
Para jush sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës theksoj që për të dy këto projektligje është ndarë koha dhe është bërë angazhimi i nevojshëm nga të gjithë akterët kyç, për të adresuar këto problematika dhe shumë të tjera dhe pas përfundimit të fazës së konsultave paraprake nga të cilat është marrë kontributi nga institucionet, këto projektligje po ndahen për konsulta publike.
Jemi zotuar, që synim kyç kemi krijimin e një sistemi të njëtrajtshëm për përcaktim të pagës, që do të sigurohemi ta përcaktojmë parimin bazë për caktim të koeficientëve, që do të përcaktohen kushtet për përfitim të pagës sekondare dhe se do të vendoset barazi për zyrtarët, e bazuar në parime të ligjshmërisë, transparencës, dhe të parashikueshmërisë.
Dua të them se për të gjithë ata që shqyrtojnë këto dy projektligje, se kjo është një reformë rrënjësore e sistemit të pagave në sektorin publik dhe një reformë për modernizim të administratës publike, prej të cilave do të përfitojë qytetari në shërbime dhe zyrtari në trajtim të dinjitetshëm dhe të drejtë.
Përgjatë hartimit të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse, bashkë me Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera relevante, janë përkujdesur, që në përcaktimin e të drejtës në pagë, të aplikohet një sistem uniform dhe i vlefshëm për të gjithë punonjësit në mënyrë që të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, që përmes nivelizimit të ulen dallimet në mes të profesioneve dhe pozitave të barasvlershme, si dhe edukimi dhe përvoja e kriteret e kërkuara për një pozitë, të vlerësohen gjatë përcaktimit të koeficientëve.
Njëjtë për Projektligjin për Zyrtarët Publik, ku përmes hapjes së rekrutimeve në administratë publike dhe digjitalizimit, sigurohet mënjanimi i çfarëdolloj ndërhyrjeje dhe ndikimi në rekrutim, mundësohet kthimi i profesionistëve nga diaspora, përmes trajnimeve sigurohet profesionalizimi i nëpunësve dhe shërbyesve në administratën shtetërore, ku përmes llogaridhënies dhe rregullimit të sistemit të performancës krijohet një administratë edhe efikase edhe transparente.
Kjo Qeveri është rezultat i vullnetit dhe kërkesës së qytetarëve për ndryshime rrënjësore. Këto objektiva janë synime tona të kamotshme për të ndërtuar një sistem cilësor, që përveç barazisë si parakusht, arrin të akomodojë profesionistët e rinj duke ju ofruar kushte të përshtatshme, pastaj ta krijojë një administratë shtetërore të hapur ku rekrutimet janë të bazuara në meritë dhe ku qytetari dhe bizneset marrin shërbime shpejt, pa pengesa dhe nga nëpunës profesionalë.
Zyrtarët tanë duhet të kenë trajtim të barabartë, qytetarët tanë duhet të kenë dyert hapur dhe të ndërveprojnë me institucione efikase, djemtë dhe vajzat tona duhet të kenë mundësinë të jenë pjesë e ministrive, agjencive dhe institucioneve të tjera, duke konkurruar në kushte të barabarta me të gjithë zyrtarët dhe vendi ynë e meriton një reformë nga e cila përfitojnë të gjithë pa dallim.
Faleminderit. E tash para pyetjeve tuaja, po ia kaloj fjalën ministrit të Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçlës.