Në mbledhjen e Bordit Drejtues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që filloi në fillim të javës në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, u mor vendim kundër Rusisë me arsyen se rrezikon sigurinë bërthamore në Ukrainë.
Në vendimin e miratuar në Bordin Drejtues, njoftohet se mosmarrja në konsideratë e thirrjeve për ndalimin e të gjitha veprimeve të Rusisë kundrejt komplekseve bërthamore në Ukrainë, ka shkaktuar shqetësime serioze, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në vendim reagohet kundër marrjes me forcë të kontrollit të komplekseve bërthamore në Ukrainë nga administrata e Moskës dhe vazhdimit të veprimeve të dhunshme ndaj këtyre elementëve. Po ashtu theksohet se prania e forcave ruse dhe e ekspertëve të Agjencisë Shtetërore të Energjisë Atomike të Rusisë (ROSATOM) në centralin bërthamor Zaporizhzhia kërcënon në mënyrë serioze sigurinë e kompleksit dhe të civilëve që janë me detyrë këtu.
Paralajmërim për aksident bërthamor që mund të rrezikojë komunitetin ndërkombëtar
“(Ky qëndrim i Rusisë) Rrit rrezikun për ndodhjen e një aksidenti ose të një incidenti bërthamor që mund të rrezikojë vendet fqinje, komunitetin ndërkombëtar dhe kryesisht popullin e Ukrainës” thuhet në vendimin ku Rusisë i bëhet thirrje që të ndalë menjëherë të gjitha veprimet e saj në centralin bërthamor Zaporizhzhia dhe ndaj objekteve të tjera bërthamore në Ukrainë.
Më tej vë vendim bëhet e ditur se mbështeten punimet e kryera nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Mariano Grossi dhe ekipi i tij për sigurinë bërthamore në Ukrainë dhe kryesisht për Zaporizhzhia-n.
Zona e sigurisë bërthamore
Kreu i IAEA-së, Grossi, për mbrojtjen e integritetit fizik të Zaporizhzhia-s, për sigurimin e funksionimit të sigurt të centralit dhe për parandalimin e dëmtimit të furnizimit me energji elektrike, ka vënë theksin mbi rëndësinë që palët t’i japin fund veprimeve të tyre ushtarake dhe gjithashtu ka njoftuar se ka filluar bisedimet me Moskën dhe Kievin për formimin e zonës së sigurisë bërthamore këtu./FolDrejt/