Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.
Në lidhje me këtë ka folur Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi, i cili është shprehur se ky vendim mund të ngadalësoj komunikimin mes shqiptarëve të Luginës dhe Kosovës, njofton Klankosova.tv.
“Shqiptarët e Luginës pavarësisht dëmeve dhe kushtëzime që i kanë bërë përshëndesin çdo vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës apo institucioneve që forcojnë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Sigurisht mbi gjithë këto vendime ne në vazhdimësi kemi kërkuar që të kenë vëmendje të shqiptaret e Luginës së Preshevës, për shkak të gjendjes së rëndë me diskriminim që iu imponohet atyre, dhe për shkak të gjendje socio-ekonomike”, është shprehur ai.
Mustafi theksoi se shqiptarët e Luginës gjithmonë do t’i mbështesin vendimet që merr qeveria e Kosovës.
“Kjo mund të bëjë problem, mund të shkaktojë ngecje të komunikimit fizik, megjithatë do të gjejë një mënyrë në të cilën do të akomodohen në kalimet kufitare edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, megjithatë nuk është një vendim me shumë dëshirë, por që nëse forcon shtetësinë dhe reciprocitetin, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdimisht i kanë mbështetur”, shtoi ai.
“Në rast ky vendim është në shërbim të forcimit të sovranitetit të shtetësisë së Kosovës, në rast se kjo e forcon Kosovën sigurisht asnjëherë shqiptarët e Luginës së Preshevës, s’kanë qenë pengesë dhe asnjëherë nuk do të bëhen dhe do të ndihmojnë pavarësisht se ky vendim godit drejtpërdrejt shqiptarët e Luginës dhe ngadalëson komunikimin fizik me Kosovën”./klankosova.tv/