Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për shtyp, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara si duhet.
Çitaku tha se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm, njofton Klankosova.tv.
“Aksioni i mbrëmshëm dëshmoj edhe njëherë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti të realizohet. Dështimi për realizimin e këtyre vendimeve te qeverisë po krijon një përshtypje se veriu është i pamenxhueshëm dhe se atje situata është jashtë kontrollit të shtetit”, është shprehur Çitaku.
“ Po ashtu veprimet e qeverisë duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe jo të ftohen e të dëgjohen ata në momentet e fundit të krizës.
“Është shumë me rëndësi që qeveria të shpjegojë qartë se cili është vendimi i ri dhe cila është situata, a shtyhet vendimi për zbatimin e reciprocitetit apo jo? Kërkojmë nga qeveria të jetë e qarrtë se çfarë do të ndodhë në 30 ditët e ardhshëm”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.
“Bashkërendimi i të gjithë aktorëve relevant ndërkombëtarë e vendor është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin, presim nga qeveria që të tregojë seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të marrë vendime të planifikuara në bashkërendim gjithmonë me aleatët tanë”.
“Situata si mbrëmë ku qytetarët u lanë në ankth e huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten më 1 shtator, kur fillon të zbatojë reciprociteti i pjesshëm”.
Çitaku ka ftuar edhe një herë qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit.
“Ftojmë edhe një herë qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, tha ajo.