Pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, i ka “tejkaluar të gjitha pritshmëritë tona” dhe do të ketë “implikime të dukshme” për rendin e sigurisë në Evropë, tha për Radion Evropa e Lirë ish-zëvendësi i sekretarit të NATO-s, Alexander Vershbow.
Vershbow, i cili ishte ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 2001 deri më 2005, tha se Putin është “i fiksuar me idenë e minimit të rendit të pas Luftës së Ftohtë” dhe kthimit të Evropës në një epokë, ku “kombet më të mëdha dominojnë kombet më të vogla”, transmeton Fol Drejt.
Kjo, sipas tij, do të thotë se aleanca ushtarake perëndimore, me bazë në Bruksel, do të duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër kur të merret me Kremlinin në të ardhmen.
“Fuqia e vërtetë vjen nga fuqia ushtarake. Putin sigurisht që ndihet kështu. Unë mendoj se NATO-ja do të duhet të zhvillojë një kulturë gatishmërie dhe të fillojë të flasë gjuhën e Putinit”, tha ish-diplomati./FolDrejt/