Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për nevojat dhe kërkesat e këtyre kategorive.
Përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës kanë kërkuar mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit që ua pamundëson familjeve të dëshmorëve, invalidëve, viktimave civile dhe familjeve të të zhdukurve të realizojnë të drejtat e tyre për pensionet kontributdhënëse.
Me këtë rast, Kryeparlamentari Kadri Veseli shprehu mbështetjen e plotë për kërkesat e shoqatave të dala nga lufta, duke i siguruar se shumë shpejt institucionet përgjegjëse do të iniciojnë ndryshimin e ligjit përkatës për tua lejuar realizimin e të drejtave këtyre kategorive.
Veseli tha me këtë rast se është kundër çdo lloj abuzimi me skemat sociale, mirëpo theksoi se këto kategori kanë të drejtë të plotë në realizimin e kërkesave të tyre, për kontributin dhe sakrificën e dhënë.