fbpx
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

VESELI: USHTRIA E KOSOVËS DO TË REALIZOHET ME PARTNERËT E NATO-S

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në intervistë ekskluzive me DW me rastin e vizitës së tij në Berlin. Të mërkurën ai u takua dhe me homologun e tij gjerman, Wolfgang Schäuble.

DW: Zoti Veseli, Gjermania, së bashku me Francën dhe Spanjën është një ndër tre vendet e mëdha që e bllokojnë liberalizimin e vizave. 

Lexoni edhe..

Kadri Veseli: Unë jam i lumtur të them se Gjermania nuk do të jetë (kundër). Po flas aq sa kuptova prej takimeve. Besoj shumë në vendimin e Gjermanisë për liberalizimin e vizave. Kjo më është thënë fare drejtpërdrejt. Është e vërtetë se kemi disa sfida me disa vende të Bashkimit Europian, por shpresojmë se me përkrahjen e një shteti mik si Gjermania, por edhe të atyre shteteve, siç është Franca, do të arrijmë që qytetarët tanë, pas dhjetë vitesh, të lëvizin si qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e integrimit europian tha se shkaku i hezitimit të këtyre vendeve është emigracioni. Si do ta komentonit ju?

Kosova ka një rritje ekonomike, të cilën, në qofte se e krahasojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, është shumë e kënaqshme. Kosova ka një standard jetese ndoshta më të mirë se një pjesë e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, infrastrukturë më moderne, status të rregulluar të sektorit publik, me pronë private, me ndërmarrësi të respektuar, një zhvillim, i cili askush nuk e ka pritur në këto dhjetë vite. Kosova ka sfidat e veta për ta forcuar shtetin ligjor dhe ekonominë, por rreziku i emigracionit nga Kosova është i paqenë, për vet faktin se jemi 1.7 milionë banorë. Jemi duke menduar se si do t’i kthejmë njerëzit tanë në Kosovë, kemi mungesa të fuqisë punëtore në sektorin e bujqësisë, në sektorin e ndërtimtarisë. Tani edhe në sektorin shëndetësor janë duke na i marrë kuadrat. Jemi duke punuar që ata të mos na ikin e të qëndrojnë. Përkundrazi, rreziku i një migracioni nga Kosova është i paqenë.

Ndryshimi i kufijve nuk është ide e Thaçit

Një temë është propozimi i presidentit Thaçi për ndryshimin e kufijve. Ju personalisht jeni shprehur kundër. Çfarë po bëni ju për të unifikuar qendrimin politik të Kosovës ndaj kësaj çështjeje? 

Duhet t’ju korrigjoj: Shkëmbimi i kufijve është një temë e kahmotshme e Serbisë dhe e Rusisë. Nuk është e presidentit Thaçi. Kemi të bëjmë me një lojë, të cilën tenton ta luajë Serbia përmes kufijve, por Kosova nuk duhet të pranojë të krijojë ndonjë precedent nga rasti i vet për asnjë konflikt tjetër. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova do ta ruajë tërësinë e vet territoriale, sovranitetin e vet po ashtu institucional, jo asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive – pushteti i tretë. Por një asociacion të komunave serbe, të cilët i integron më mirë serbët, qytetarët e Republikës së Kosovës, në institucionet tona, në shtetin tonë të pavarur e sovran. Kosova tekefundit është shtet t i gjithë qytetarëve. Nuk ka shtet aktualisht që i jep më shumë të drejta komuniteteve se sa Kosova. Pra, nuk po përdor as fjalën minoritete, sepse sipas kushtetutës së Kosovës nuk ka minoritete.

Atëherë na e shpjegoni ju lutem se përse është krijuar përshtypja sikur presidenti Thaçi nuk është ende i gatshëm të heqë dorë nga ky propozim?

Është pak edhe një ego me anë të së cilës ndoshta opozita tenton ta zgjerojë pushtetin e vet mbi votuesit. Një taktikë, e cila po e dëmton Kosovën. Kosova ka nevojë për unitet, për platformë të përbashkët, ku cënimi i territorit nuk vihet në pyetje dhe në të njëjtën kohë edhe cënimi i sovranitetit institucional. Keni parasysh, më e rrezikshme se çdo opsion tjetër është paralizimi i shtetit të Kosovës. Opozita duhet t’i bashkangjitet një platforme, të cilën duam ta ndërtojmë bashkërisht. Nuk kemi pronësi asnjë mbi shtetin tonë, kemi obligime ndaj qytetarëve, ndaj shtetit, edhe kemi obligime ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po investojnë shumë, si Gjermania tek ne.

Ushtria  e Kosovës do të krijohet në bashkëpunim me NATO-n

Roli i NATO-s është roli i një sigurie globale. Ne jemi produkti ekzemplar i vërtetë i një kontributi të NATO-s. Të jemi edhe ne tani kontribues, jo më konsumues, si para 20 viteve. Të jemi kontribues për vendet që vuajnë. Ne do ta kemi ushtrinë e Kosovës, pashmangshëm. Jemi shtet i pavarur sovran, por këto manipulimet e Serbisë që tentojnë të krijojnë një frikë me militarizimin gjoja të Kosovës janë të paqena. Ne do të punojmë me partnerët tanë: Bundeswehr-i, ushtria amerikane, angleze, franceze, italiane, do të jenë pjesë e partneritetit. Bashkë do të jemi, me vendet e NATO-s.

Po serbët?

Serbët gjithsesi. Ky është mesazhi im për kolegët e mi në Serbi. Mos u bëni presion qytetarëve serbë në Kosovë që po i largoni me dhunë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, nga Ushtria e Ardhshme e Kosovës. Ata janë ushtarë dinjitozë të shtetit të vet për të mbrojtur vlerat universale dhe për të mbrojtur mënyrën e jetesës sonë nga çdo radikalizëm.

Si e shikoni ju zgjidhjen e problemit ose të fqinjësisë së Kosovës me Serbinë?

Pikërisht ashtu si e shtruat edhe ju pyetjen: Në fqinjësinë e mirë mes shteteve të pavarura dhe sovrane të Kosovës dhe Serbisë. Edhe kjo është e pashmangshme. Është në interesin e vet Serbisë që të gjejë një zgjidhje për të ecur përpara në prosperitetin ekonomik edhe rrugëtimin drejt bashkimit Evropian për aq sa interesi ynë, normalizimi i raporteve me Serbinë për rrugëtimin tonë euroatlantik. Ne nuk kemi pretendime ndaj Serbisë, por Serbia duhet ta harrojë përgjithmonë që ta ketë Kosovën nën thundrën e vet. Kjo ka marrë fund më 12 qershor 1999.

Të ngjajshme