Duket që mania e politikanëve shqiptarë për të luajtur bixhoz ka qenë e vjetër, ose më konkretisht, prej krijimit të shtetit shqiptar. Ministri fuqiplotë në Uashington, Mid’hat Frashëri, gjatë qëndrimit në Tiranë, 1921, duke folur për kolegët e tij shqiptarë, vëren se të gjithë “ministrat shqiptarë luajnë bixhoz, përveç njërit.”
“Ahmet Mati, tani titullohet Zogu, nuk e di pse, është tridhjet vjeç, më i riu i kabinetit dhe jo akoma në moshë për deputet. Por me pak gënjeshtra u rrit. Ambicioni nuk i mungon Ahmetit, ministrit të brendshëm dhe është i vetëm ministër që nuk luan bixhoz në Monte Carlo rrëzë Dajtit. Nuk e shoh edhe në restorante as në gosti dhe kohën e kalon me punët e zyrës,” do shkruante Midhat Frashëri në 1921, kohë kur njihte të gjithë politikanët e lartë shqiptar.
Më 1925 Ahmet Zogu do bëhej kryeministër, kurse në 1928 mbret i Shqipërisë.
Por Frashëri, përveç ministrave flet edhe për deputetët.
“Pasi dalin nga parlamenti, deputetët kanë detyrën e madhe: bixhozin. Mbretërit e këtij janë Skëndo Pojani, Bahri Omari, Rasim Babameto, Pandeli Cali…Shumë lozin në shtëpitë e tyre, po Skëndo Pojani ka zyrën e bixhozit në hotel Frashëri, të Myrteza Çokut: gjer në mes të natës, shumë herë gjer në katër dhe në gjashtë të mëngjesit.
Studim, kërkim, rrëmim, dorar, arkiv, shkrim, lexim, meditim, menjë fjalë punë dhe punim, mos kërko më kot prej deputetëve, mos u bjer në qafë (do të përjashtojmë mbase Koco Tasin dhe Luigj Gurakuqin).
Fjalë për fjalë, akoma fjalë! Mund të themi se një deputet në Shqipëri definohet kështu: “Një njeri, të cilit i jepet rroga që të flasë”. Jo makar kot. por kurdoherë kot.”, do shkruante studiuesi shqiptar Frashëri.
Shihni ndonjë dallim me përshkrimet e sotshme….?!/Foldrejt.com
Vërejtje: Për më shumë shiko Veprën 3 të Midhat Frashëri.