Shkruan: Mr. ALPIN OLLOGU
“Unë nuk dua të pasurohem, por në të njejtën kohë nuk po ankohem për gjendjen time materiale, apo jo, sepse kam një lloj vetëmjaftueshmërie në kushtet e mia” – përgjigjet Albin Kurti në një prej intervistave të tij. I shndërruar në lider frymëzues për shumicën e kombit, Kurti, jeton me qera në një banesë prej 65 m2 dhe me pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës, gjithsej 17.500 euro, pa asnjë pronë tjetër. Shtuar banesën në pronësi të bashkëshortes së tij në Oslo të Norvegjisë, e cila me pagën që merr dhe kredinë bankare të banesës, arsyeton plotësisht vlerën e saj.
Një ndër protagonistët kryesorë të skenës politike shqiptarë në Kosovë gjatë dy dekadave të shkuara, Kurti mund të ishte pasuruar në shumë forma, nga shoqëria civile me OJQ-të, nga opozita – si shumë opozitarë të tjerë, joshjet dhe ofertat për qeverisje, ose ose nëpërmjet komunave të udhëhequra nga Vetëvendosja. Por nuk e bëri, nuk u kompromentua. Mbeti idealist i kauzës, i pathyer dhe rezistent nga errësira e egoizmit njerëzor për pushtet të rrejshëm dhe pasuri të padenjë. Madje, në fillimet e Vetëvendosjes, ai shiti shtëpinë e tij private në shërbim të lëvizjes, për të ndihmuar çështjen në të cilën besonte dhe që sot ka mbështetjen e shumicës. Altruist i rrallë i politikanit shqiptar në vetëmjaftushmërinë pasurore.
Me siguri që ka edhe gabime në rrugëtimin e veprimtarisë politike, por për këtë nyje të fortë të vetëmjaftushmërisë pasurore, edhe kundërshtarët kryesorë politik, e admirojnë ose e xhelozojnë në heshtje. E jorastësisht është më i dashuri i shumicës, në gjendjen e një shteti skajshmërisht të varfër si i Kosovës, ku 29% e pëfituesve të asistencës sociale jetojnë në varfëri, ku edhe 26 mijë familje të tjera, me 107 mijë anëtarët e tyre, kanë nevojë për ndihmë sociale dhe ku 12% e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se 1.5 euro në ditë. E në anën tjetër, kemi partitë oponente, qofshin ato në opozitë apo qeverisje, me liderë dhe politikbërës të pasurive milionëshe.
Ndoshta, më shumë sesa mençuria karakterizuese, veprimtaria patriotike në lëvizjen studentore, kontributi përgjatë luftës së UÇK-së, si dhe veprimtaria politike e pasluftës, oponentët e tij politik, i bën të turpërohen, të jetuarit e Albin Kurtit, thjesht, pa luks, vila, makina, veshje firmato. Atë nuk e sheh duke ngrënë e pirë lart e poshtë në kurrizin e taksapaguesve të një shteti të varfër. “Unë nuk jam kundër pasurisë, unë dua që njerëzit të bëhen të pasur, por të pasur me drejtësi, punë dhe pa korrupsion’ – turpëron dhe frikëson kundërshtarët mençuria e Albin Kurtit. “Nëse do të bëhesh i pasur, merru me biznes, jo me politikë” – argumenton përsëri zëri i arsyes së tij bindëse. Por edhe kur të pasurohesh me biznes, bëje atë me drejtësi dhe në përputhje me ligjin, është standarti që synon të vendosë themeluesi i Vetëvendosjes në qeverisjen e Kosovës.
Albini duket se ka lumturi në këtë vetëmjaftueshmëri pasurie, inteligjenca me siguri ja kontrollon egon njerëzore. Nuk është udhëheqës religjioz, që supozohet se religjiozët duhet të jenë altruistë të shkallës së lartë, por shumë prej tyre ai i lë në baltë. Sidomos këta të ditëve tona, që pasuritë e shumta, i kanë kaluar minaret e xhamive dhe kryqet e kishave, prandaj vështirë se shohin më shumë se rehatinë e vetes.
“Ka vetëm një lumturi në këtë botë, të jetosh për të tjerët” – porosiste i madhi letërsisë botërore, Leo Nikolaeviç Tolstoi. Pikërisht këtu duhet të burojë energjia, vitaliteti liderit të Vetëvendosjes. Sigurisht, ai ndjehet më i lumtur dhe i pasur shpirtërisht, më shumë sesa të gjithë zhvatësit e tjerë të së mirës publike. Vetëmjaftuëshmëria pasurore është rezultat i një procesi mental të kulluar, filozofisë së lartë për jetën politike në rrethanat ku gjendemi, të cilën nuk mund ta kuptojnë dhe arrijnë as për afër, pjesa dërrmuese e politikës shqiptare. Nuk mund ta kuptojnë fatkeqësisht edhe ata opozitarë të cilët kërkojnë të marrin pushtete, të rrëzojnë qeveri nga lukset e pasurive të tyre, vështirë të arsyetuara.
Raporti me ndershmërinë e pasurisë e bën Albinin një makth për gjithësecilin të korruptuar, oligark, politikan, pushtetar i ekzekutivit, legjislativit apo gjyqësorit. Në mos më shumë, vetëmjaftushmëria Kurti frymëzon model politikanësh të së nesërmes së shëndoshë. Shkakton frymëzim dhe energji për rininë, pa ju nënshtruar askujt dhe asgjë prej faktorit njerëzor, në atë që mund të konsiderohet e drejtë dhe e duhur. Jep shpresë se mundet, se rruga mund të jetë e vështirë, se metodologjia e drejtë ka sfida, por edhe kështu fitohet, drejt, pastër dhe dinjitetshëm. Madje kështu mund të fitohet si shpërthim pranvere gjithandej, dalë nga egërsia e një dimri të madh korrupsioni.
Nëse kërkojmë të ndjekim Albin Kurtin, të veprojmë pastërtisht dhe të marrim nga shkëlqimi i tij, të rrëzojmë dhe fitojmë pushtete, po si ai, nuk mjafton vetëm ta mbështesim atë me fjalë, por duhet kalitur vetja me vetëmjaftueshmërinë e pasurisë në rrugëtimin politik. Nëse nuk bëhet kjo, do të kemi opozita dhe synime të lodhshme, pa entuziazëm popullor dhe demagogë klasikë, të cilët vështirë se bëjnë ndryshime, rrëzojnë dhe marrin pushtete!