Në përvjetorin e ditës së alfabetit të gjuhës shqipe, veteranët japin vlerësimet e tyre mbi arsimin shqip në vend. Sipas tyre, gjendja aktuale nuk është ajo për të cilën është punuar. Kritikat e tyre adresohen edhe ndaj mësimdhënësve të cilët duhet të përkushtohen më shumë me qëllim edukimin e gjeneratave të reja.
“Suksesi ka qenë më i mirë se tash. Unë çdoherë që kam qenë kujdestar i klasës, nxënësit e mi kanë kaluar shkëlqyeshëm. Sot shkollën e kam afër por shoh se disiplina është zero. Por duhet të përmirësohet kjo gjendje, nevojitet kontakt me prindërit më shumë. Unë i mbaja nxënësit në orë plotësuese nga shtatë orë. Sot po t’i mbash, dalin nga muri e dritaret- Ruzhdi Ahmeti, Veteran i arsimit.
Do t’u jepja një mesazh të gjithë arsimtarëve të rinj: Ta duan punën. Të punojnë me dashuri, me pasion. Vetëm me punë mund të arrijmë çdo gjë- tha Mirushe Buxhaku, Veterane e arsimit”.
Zëvendëskryeministri për Sistem politik, Sadulla Duraku priti në takim veteranët e arsimit shqip. Ai u tha veteranëve se duhet punuar më shumë me qëllim përmirësimin e gjendjes, por gjithnjë pa ndikime politike ndaj institucioneve arsimore.
“Mësuesit tanë ishin misionarë të çështjes së dijes në vendbanimet e tokave tona shqiptare. Duhet të marrin përgjegjësi vetë institucioni e jo të përzihet politika në arsim. Kur thotë politika se duhet bëhet një gjë, të gjithë thonë pse ndërhyjmë në arsim. Nga ana tjetër kërkohet nga politika që duhet ta drejtoje atë institucion. Unë mendoj se politika duhet t’i ketë larg duart nga arsimi- deklaroi Sadulla Duraku, Zëvendëskryeministër për Sistem politik”.
Dhjetëra veteranëve nga trojet shqiptare në Maqedoni të Veriut iu ndanë mirënjohje në shenjë respekti për punën dhe kontributin e tyre në arsim.
Adrian Kerimi