Puna e Qeverisë Kurti II, është lavdëruar sot në Kuvendin e Kosovës, nga deputetët e partisë në pushtet, transmeton Fol Drejt.
Deputetja Saranda Bogujevci, në pjesën e seancës së dedikuar për diskutime jashtë rendit të ditës, tha se qeveria ka arritur që ta përballojë mirë pandeminë. Më saktë ajo theksoi se qytetarët e Kosovës, falë qeverisë, kanë arritur të vaksinohen në një përqindje të lartë, duke i kaluar edhe ata të vendeve të rajonit.
“Gjatë vitit që po lëmë pas ishim ne që siguruam dozat e vaksinën Pfizer dhe sot kemi shkallën më të lartë të vaksinimit të popullatës në rajon. Me këtë rast dua të falënderoj ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për punën që e ka bërë në këtë drejtim… Ishim ne që filluam mbështetjen për shtesat për lehonat dhe fëmijët dhe jo vetëm.”
Më pas Bogujevci u përqendrua edhe te disa çështje të tjera:
“Po fuqizojmë rolin e gruas dhe po ndihmojmë në krijimin e kushteve elementare për mirëqenien e fëmijëve. Ishim ne që po ndihmojmë bizneset në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe kemi nxitur një dinamikë më të shtuar të aktivitetit ekonomik në vend.”
Sipas Bogujevcit, Kosova ka gëzuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon, ndërsa politika e subvencionimit, po vazhdon./FolDrejt/