Grupi i Kuvendarëve Komunal nga Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet ka paralajmëruar se do të dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me qëllim të faljes së tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e Prishtinës për vitin 2023, raporton Fol Drejt.
“Grupi i Kuvendarëve Komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë, të hënën në mëngjes, do të dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me të vetmen pikë të rendit të ditës:
– Falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e komunës tonë për vitin 2023″, shkruan në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra Prishtinë.
Në njoftim thuhet se duke pasur parasysh kornizën ligjore të ligjit aktual për tatimin në pronë dhe me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, grupi kuvendar i Vetëvendosjes, i fton të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që ta nënshkruajnë këtë kërkesë dhe ta mbështesin këtë nismë.
Një nismë të tillë e ka konfirmuar edhe qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren. /FolDrejt/