Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kohën kur vendi gjendet në krizë energjetike duhet të shtohen masa që i mundësojnë qeverisë të marrë veprime.
Ajo, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ka deklaruar se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë është e vetmja mënyrë për ta kthyer prodhimin e energjisë elektrike të Kosovës për furnizim.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 40 nënshkrime ka ftuar këtë seancë të jashtëzakonshme derisa njëjti rekomandim i qeverisë ka shkuar edhe në Komisionin për Ekonomi edhe ka marrë mbështetjen e komisionit. Ajo që ne kemi mbështetur është që vendimi i qeverisë t’i sillet kuvendit brenda tri ditëve pas miratimit në qeveri dhe i njëjti është sjellë menjëherë në ditën kur është marrë vendimi në qeveri. Gjithashtu kuvendi ka shtatë ditë kalendarike që të miratojë këtë vendim”.
“Në rrethanën e krijuar me mungesën e furnizimit me energji elektrike ku një bllok i Kosovës B është jashtë funksionit dhe ku mbi 40 % të rrymës e cila konsumohet në Kosovë tërhiqet nga interkonjeskioni duhet të shtohen masa të cilat ja mundësojnë fushëveprimin qeverisë në vendimin të cilin ajo e ka marrë. Më e rëndësishmja është vendosja e kufizimit mbi aktivitetin komercial që ka të bëjë me burime të caktuara të energjisë, vendosja e kushteve të veçanta komerciale, kufizimin e tregtimit me energji dhe të tjera”.
“E vetmja mënyrë për të kthyer gjithë prodhimin e energjisë elektrike të Kosovës për furnizim në Kosovë është që të kemi një rrethanë e cila përcaktohet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë”.