Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk ia kanë dalë t’i votojnë të gjitha projektligjet e propozuara për votim.
Në parim, me 64 vota pro dhe asnjë kundër, e votuan projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit. Por ai për pronën publike, nuk i mori votat e mjaftueshme, transmeton Fol Drejt.
Duke e shfrytëzuar rastin, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e këshilloi mazhorancën, në mënyrë që kjo e fundit të mos ngecë në votimin e projektligjeve.
“Është mirë që si Lëvizje Vetëvendosje t’i reduktoni pak udhëtimet zyrtare dhe t’i ftoni deputetët që të mbajnë përgjegjësi për çka iu ka dhënë qytetari i Kosovës dhe të jenë këtu për t’i kaluar ligjet”, tha ajo.
Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeparlamentarit Glauk Konjufca:
“More pse deputetët nuk janë në sallë më së paku problemi është te udhëtimet!”
Ua kujtojmë se për mungesë kuorumi, ose votave të mjaftueshme, shumë projektligje nuk e kanë marr mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve, edhe në seancat e kaluara./FolDrejt/